Pas debatit publik që ka ngjallur reagime të shumta, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrofci, ka dalë me një reagim të fuqishëm në Facebook, ku ka dërguar mesazhe të drejtpërdrejta për kundërshtarët e tij politikë dhe opinionin publik.
Lladrofci u kërkoi qytetarëve që të mbajnë një fushatë të qetë, pa fyerje e dezinformata, duke theksuar se 12 tetori do të jetë dita e “dëshmisë dhe konfirmimit të qeverisjes së mirë në Drenas”.
“Edhe pak ditë deri në përfundim të fushatës zgjedhore. Kërkoj nga ju të vazhdoni fushatën e qetë, pa fyerje dhe dezinformata. Më 12 tetor është dita e dëshmisë dhe konfirmimit për punën, besimin dhe vazhdimin e qeverisjes së mirë, me 101 arsye ‘Për Drenasin Kampion’,” – shkroi ai.
Duke iu referuar tensioneve të krijuara në fushatë, Lladrofci theksoi se shantazhet dhe kërcënimet janë të papranueshme, duke paralajmëruar se “uzurpatorët dhe keqbërësit do të dështojnë sërish”.
“Komuna e Drenasit është e vogël dhe njihemi mes vete. Uzurpatorët, keqbërësit me metodat e ish-regjimit, ashtu sikur dështuan më herët, do të dështojnë sërish. Nuk ka bir nane që mund të më shantazhojë,” – deklaroi ai.
Në fund, ai theksoi se fitorja me 101 arsye do të jetë dedikim për heronjtë e luftës dhe të paqes, duke e përmbyllur me mesazhin:
“Vazhdojmë edhe katër!”