Dogana e Kosovës ka ndaluar një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara gjatë kontrolleve rutinë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe në pikëkalimin kufitar të Vërmicës.
Në aeroport, zyrtarët doganorë kanë zbuluar pajisje profesionale të përdorura për ndërhyrje estetike në fushën e transplantit të flokëve, të cilat ishin fshehur në bagazhin e një udhëtari që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për instrumente mjekësore, pajisje ndihmëse, materiale sterile dhe preparate për trajtim pas ndërhyrjeve, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me legjislacionin në fuqi. Mallrat janë ndaluar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Dogana e Kosovës thekson se çdo udhëtar ka detyrim ligjor të deklarojë mallrat që bart me vete, dhe mosdeklarimi i tyre përbën shkelje të ligjit që mund të sjellë pasoja administrative e penale.
Në një rast tjetër, në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, zyrtarët doganorë ndaluan për kontroll të detajuar një udhëtar, në automjetin e të cilit u gjetën mallra të padeklaruara të fshehura pas ulëses së shoferit.
Bëhej fjalë për 196 disqe për gdhendje druri dhe 61 llampa koke për ndriçim teknik, që udhëtari nuk i kishte deklaruar në hyrje, pavarësisht se kishte pohuar se nuk kishte asgjë për të deklaruar.
Edhe në këtë rast, mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe ndaj personit është inicuar procedurë për kundërvajtje doganore.
Dogana e Kosovës u bën apel qytetarëve që të respektojnë detyrimin ligjor për deklarimin e mallrave, në mënyrë që të shmangen procedurat ndëshkuese dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe transparencën kufitare.