Sot vazhdojnë bisedimet mes negociatorëve të Izraelit dhe Hamasit për planin e paqes në Gaza, të zhvilluara në Sharm el-Sheikh, Egjipt. Në takime do të marrin pjesë edhe i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, si dhe dhëndri i ish-presidentit Donald Trump, Jared Kushner, raporton media e huaj.
Dita e dytë e bisedimeve, e zhvilluar të martën, përfundoi pa rezultate të prekshme, sipas një zyrtari palestinez të njohur me negociatat. Megjithatë, presidenti i SHBA-së u shpreh optimist, duke theksuar se “ekziston mundësia që të kemi paqe në Lindjen e Mesme”.
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, ndërmjetës i njohur në këtë proces, do t’i bashkohet gjithashtu bisedimeve.
Negociatat janë përqendruar në pesë çështje kryesore: arritjen e një armëpushimi të përhershëm; shkëmbimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi me të burgosurit palestinezë; tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza; shpërndarjen e ndihmës humanitare; dhe qeverisjen e territorit pas përfundimit të konfliktit.
Kujtojmë se konflikti nisi më 7 tetor 2023, pas një sulmi të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Që nga ajo kohë, operacionet ushtarake izraelite kanë shkaktuar të paktën 67,160 viktima në Gaza, përfshirë 18,000 fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi; shifrat konsiderohen të besueshme nga OKB-ja dhe organizata ndërkombëtare.