Ndërmjetësuesit kryesorë të SHBA-së dhe figurat rajonale janë bashkuar në Egjipt për ditën e tretë të bisedimeve indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, me synimin për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare shkatërruese në Gaza, që ka marrë dhjetëra mijëra jetë palestinezësh.
Në qendër të negociatave ndodhet plani i paqes i Presidentit amerikan Donald Trump, i cili parasheh ndaljen e menjëhershme të luftimeve, tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza dhe shkëmbimin e pengjeve me të burgosurit palestinezë.
Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, mbërritën të mërkurën në Sharm el-Sheikh, së bashku me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, dhe drejtorin e inteligjencës turke, Ibrahim Kalin. Prania e tyre shihet si një përpjekje për të shtuar vrullin drejt një marrëveshjeje paqeje.
Presidenti egjiptian Abdul Fattah al-Sisi e përshkroi mbërritjen e delegacioneve si “shumë inkurajuese”, duke theksuar se ato mbartin një mandat të fortë nga Presidenti Trump për t’i dhënë fund luftës.
Nga pala izraelite, ministri i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, i afërt me kryeministrin Netanyahu, iu bashkua bisedimeve pasdite.
Qëndrimet e palëve dhe çështjet kyçe
Një zyrtar i lartë i Hamasit tha për BBC se grupi ka treguar “pozitivitet dhe përgjegjësi” në negociata, duke paraqitur një listë të të burgosurve palestinezë që kërkon të lirohen në këmbim të 48 pengjeve që mbahen ende në Gaza, prej të cilëve rreth 20 besohet se janë gjallë.
Në listë përfshihen edhe figura të njohura politike si Marwan Barghouti dhe Ahmad Saadat, të dënuar me burgime afatgjata në Izrael.
Megjithatë, një tjetër zyrtar palestinez i përfshirë në proces ka paralajmëruar për “boshllëqe të thella” në interpretimin e planit 20-pikësh të Trump, sidomos rreth dy çështjeve kyçe:
-
Tërheqja izraelite: Hamasi kërkon tërheqje të menjëhershme nga qytetet kryesore të Gazës, ndërsa Izraeli dëshiron ta bëjë këtë me faza dhe në përputhje me hartat e propozuara nga Shtëpia e Bardhë.
-
Shkëmbimi i pengjeve: Hamasi kërkon që lirimi i pengjeve të lidhet drejtpërdrejt me tërheqjet izraelite, ndërsa plani i Trump parashikon lirimin e tyre brenda 72 orëve dhe çarmatimin gradual të Hamasit.
Tonet nga SHBA dhe Izraeli
Presidenti Trump deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se ekziston “një shans real për paqe në Lindjen e Mesme”, duke theksuar se SHBA-të do të bëjnë gjithçka për të garantuar zbatimin e marrëveshjes.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në përvjetorin e dytë të sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, e cilësoi periudhën aktuale si “kohë vendimesh fatale” për Izraelin, duke theksuar se synimi mbetet “shkatërrimi i regjimit të Hamasit dhe sigurimi që Gaza të mos paraqesë më kërcënim për shtetin hebre.”
Optimzëm i kujdesshëm në negociata
Sipas burimeve të gazetës Haaretz, zyrtarët izraelitë besojnë se “ekziston një mundësi reale për përparim” dhe se marrëveshja mund të arrihet në ditët në vijim, ndërsa vetë Trump është “i përfshirë intensivisht” në proces.
Ndërkohë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka konfirmuar se Trump i ka kërkuar të “bindë Hamasin” për të pranuar planin, duke theksuar se përparimi kërkon edhe presion mbi Izraelin për të ndalur ofensivën në Gaza.
Bilanci i luftës
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, mbi 67,000 persona janë vrarë nga ofensiva izraelite që prej tetorit 2023, përfshirë më shumë se 20,000 fëmijë. OKB-ja i konsideron këto të dhëna si të besueshme, megjithëse Izraeli i kundërshton ato.
Vetëm në 24 orët e fundit, janë raportuar të paktën tetë viktima nga sulmet izraelite – shifra më e ulët gjatë javës së fundit.
Ndërsa lufta hyn në vitin e saj të tretë, Sharm el-Sheikh është shndërruar në qendrën e shpresës për një armëpushim që mund të hapë rrugën drejt paqes më të gjerë në Lindjen e Mesme.