Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda – Njësia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve, F.P. dhe B.B., nën dyshimin e bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin”, sipas nenit 308, paragrafët 1, 2 dhe 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.P., në periudhën janar–mars 2020, në Prizren dhe Prishtinë, në cilësinë e pronarit të biznesit “B.K. AG”, ka përdorur me dashje 23 fatura fiktive në vlerë totale 18 milionë euro, të lëshuara nga biznesi “B.BB” sh.p.k., me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Si rezultat, buxhetit të shtetit i është shkaktuar dëm material prej 3,449,016.61 euro.
Ndërkohë, i pandehuri B.B., në cilësinë e personit përgjegjës të biznesit “B.BB” sh.p.k., dyshohet se ka lëshuar 23 fatura fiktive, kinse për ndërtimin e hotelit “Lakeside” në Vërmicë, Prizren, megjithëse punimet nuk ishin kryer nga ky biznes. Përmes këtij veprimi, ai jo vetëm që ka ndihmuar në shmangien e tatimeve të biznesit të bashkëpandehurit, por edhe vetë është shmangur nga pagesa e tatimit në vlerë prej 115,850.31 euro.
Prokurori i rastit, pas zhvillimit të hetimeve, ka pushuar pjesërisht hetimet ndaj disa personave të tjerë të përfshirë fillimisht në rast për veprat penale “Shmangia nga tatimi”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrimi në detyrë”, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në përfundim, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit F.P. dhe B.B. të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.