Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një rast të rëndë penal, që përfshin tentim vrasjeje dhe shantazh.
Të akuzuarit janë S.Z për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, I.Z për “Shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë”, si dhe D.Z për “Shantazh”, në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 14 korrik 2025, në afërsi të fshatit Bokshiq, komuna e Klinës, e pandehura S.Z, pas një takimi me viktimën, e ka goditur me thikë në pjesën e sipërme të barkut, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe gjakderdhje masive. Pas sulmit, ajo është larguar me shpejtësi drejt veturës ku e priste i pandehuri D.Z, ndërsa gjatë rrugës ka hedhur thikën në lumin afër fshatit Dugojevë për të fshehur provat.
Hetimet kanë zbuluar se i pandehuri I.Z kishte ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj S.Z, duke e shtyrë që të privonte nga jeta viktimën ose ta shantazhonte për një shumë prej 10 mijë eurosh. Në anën tjetër, i pandehuri D.Z akuzohet se kishte kërcënuar viktimën përmes mesazheve telefonike, duke i kërkuar shuma të ndryshme parash.
Prokurori i rastit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të shpallë fajtorë të pandehurit dhe t’i dënojë sipas ligjit për veprat që u vihen në barrë.