Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar që NATO duhet të shqyrtojë mundësinë e përjashtimit të Spanjës nga aleanca, duke e cilësuar vendin si “të prapambetur” në përmbushjen e detyrimeve të tij për shpenzimet e mbrojtjes. Deklarata e fortë e Trump u bë të enjten gjatë një takimi dypalësh me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb.
“Kishim një të prapambetur – Spanjën. Duhet t’i telefononi dhe të gjeni pse janë të prapambetur,” tha Trump para gazetarëve. “Ata po shkojnë mirë, për shkak të shumë gjërave që kemi bërë. Nuk kanë asnjë justifikim për këtë, por ndoshta duhet t’i dëbojmë nga NATO, sinqerisht.”
Në samitin e mbajtur në qershor, aleatët e NATO-s kishin rënë dakord të përmbushnin kërkesën e Trump për rritjen e kontributit financiar në mbrojtje deri në 5 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) — nga të cilat 3.5 përqind do të shkojnë për shpenzime ushtarake direkte dhe 1.5 përqind për investime të lidhura me sigurinë. Spanja ishte i vetmi vend që refuzoi të angazhohej për këtë standard të ri.
Trump e lavdëroi Finlandën për përmbushjen e objektivave të rinj, duke theksuar se rritja e shpenzimeve ushtarake ishte përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës. “Ju e keni bërë shumë mirë në këtë drejtim. Spanja nuk e ka bërë,” tha ai duke iu drejtuar Stubb. “Mendoj se duhet të filloni të flisni me Spanjën.”
Sipas të dhënave të NATO-s, Spanja është ndër vendet me shpenzimet më të ulëta të mbrojtjes, duke investuar më pak se 1.2 përqind të PBB-së në vitin 2023. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka deklaruar se objektivi i qeverisë është që investimet në mbrojtje të arrijnë në 2.1 përqind të PBB-së, shumë më poshtë standardit të ri të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara.
“Unë kërkova që aleatët të paguajnë 5 përqind, jo 2 përqind, dhe shumica menduan se kjo nuk do të ndodhte. Por ndodhi, praktikisht unanimisht,” tha Trump, duke theksuar se përjashtimi i mundshëm i Spanjës mund të jetë në rendin e ditës nëse vendi vazhdon të mos e përmbushë obligimin e tij financiar ndaj aleancës.