Në veri të Kosovës, Lista Serbe ka treguar sërish kontrollin e saj politik mbi komunitetin serb, duke mobilizuar qytetarët për të marrë pjesë në zgjedhje pas një ftese publike për tubim në sheshin “Car Llazari”.
Pas thirrjes së partisë, qindra qytetarë serbë u panë duke u drejtuar drejt kutive të votimit, në një atmosferë që u interpretua si demonstrim i fuqisë organizative së subjektit politik që prej vitesh dominon jetën politike të serbëve në Kosovë.
Ftesa u bë përmes kanaleve të zakonshme të komunikimit të Listës Serbe, ndërsa pjesëmarrja e gjerë në procesin e votimit u cilësua nga analistët si test i ndikimit të vazhdueshëm të Beogradit në veri të vendit.
Institucionet vendore dhe ndërkombëtare po e ndjekin nga afër zhvillimin e procesit zgjedhor në këtë zonë, duke vlerësuar se stabiliteti politik në veri mbetet kyç për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi.