Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në numër sa më të madh për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.
“Ju ftoj që të dilni masivisht dhe të shfrytëzojmë të drejtën tonë për votim. Shpresoj që të mos ketë përsëritje, por ta bëjmë një fillim të ri. Le të nisemi dhe të fillojmë të punojmë për zhvillimin dhe për të gjitha çështjet që kanë mbetur të pazgjidhura për shumë vite,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin zgjedhor për të vendosur për të ardhmen e kryeqytetit.