15 tetor 2025 | Prishtinë – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka ritheksuar nevojën që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën.
Në një komunikatë për media të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohje për angazhimin e Von der Leyenit dhe për mbështetjen e vazhdueshme për rrugëtimin evropian të Kosovës.
“Gjatë takimit u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, reformat dhe progresin në sundimin e ligjit dhe fushën e sigurisë, përparimin demokratik dhe rritjen ekonomike. Kryeministri ritheksoi nevojën që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën,” thuhet në komunikatë.
Kurti foli gjithashtu edhe për zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën e kaluar, duke theksuar se ato ishin të lira, demokratike dhe në përputhje me standardet evropiane. Ai nënvizoi rëndësinë e tranzicionit të rregullt të pushtetit në komunat ku do të ketë ndryshim qeverisjeje dhe përkushtimin e qeverisë për të mbrojtur proceset demokratike nga çdo ndërhyrje e jashtme.
Për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me BE-në në kuadër të iniciativës “Single Market Highway”, Kurti i dorëzoi Von der Leyenit tri letra zyrtare që përmbajnë interesin e Kosovës për nisjen e dialogut strategjik në bujqësi, teknologji të informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe në industri të mbrojtjes, fusha ku Kosova sheh avantazh krahasues dhe potencial të lartë zhvillimi.