Zëvendëskryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka dorëzuar sot një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Simiq ka theksuar se çështja nuk është vetëm për një post të veçantë, por lidhet me të drejtën e komunitetit serb për të zgjedhur vetë përfaqësuesit e tij dhe për t’u përfaqësuar adekuat në institucionet shtetërore.
“Sot, në emër të dhjetë deputetëve të legjislaturës së nëntë, kam dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për shkak të zgjedhjes joligjore dhe imponimit të nënkryetarit të Kuvendit që i takon popullit serb nga ana e regjimit të Albin Kurtit”, deklaroi Simiq.
Ai ka shtuar se në kërkesën e dorëzuar janë përmendur detajisht shkeljet e Kushtetutës, Rregullores së punës së Kuvendit dhe vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Lista Serbe ka kërkuar gjithashtu vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëm të pariparueshëm.
Simiq ka theksuar se “nëse ky dhunim i shumicës ndaj pakicës legalizohet, zgjedhjet do të humbnin kuptimin, pasi shumica e deputetëve shqiptarë mund t’ua impononte serbëve përfaqësuesit e tyre, ashtu siç po vepron Kurti që nga ardhja në pushtet”.
Ky veprim i Listës Serbe vjen në një kohë kur debati për përfaqësimin e komuniteteve pakicë në institucionet e Kosovës është në qendër të vëmendjes.