Morinë, 16 Tetor 2025 – Dy shtetas nga Kosova janë kapur nga autoritetet shqiptare në Pikën e Kalimit Kufitar në Morinë, ndërsa tentonin të futnin në territorin e Shqipërisë një shumë prej 27 mijë e 550 eurosh, pa e deklaruar në doganë.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, në hetim janë vënë dy persona me inicialet A.G., njëri 51-vjeçar me origjinë nga Kosova dhe banues në Suedi, si dhe një tjetër 44-vjeçar nga Suhareka. Gjatë kontrollit, 51-vjeçarit iu gjetën në posedim 12 mijë e 550 euro, ndërsa tjetrit 15 mijë euro, të cilat nuk ishin deklaruar sipas procedurave ligjore.
Shuma e parave është sekuestruar, ndërkohë që ndaj të dyshuarve janë nisur procedurat hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia vijon hetimet për të verifikuar burimin dhe qëllimin e transportimit të këtyre mjeteve monetare.