Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e infrastrukturës së institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar se vetëqeverisja e sistemit gjyqësor, edhe pse e mbështetur nga reforma në drejtësi, nuk ka arritur të prodhojë transformimin e nevojshëm.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama njoftoi se transformimi i godinave të drejtësisë është i pamundur pa projekte të besueshme, dhe bëri të ditur se qeveria ka vendosur ta marrë përsipër këtë proces.
Sipas tij, gjykatat dhe prokuroritë aktuale funksionojnë në ambiente të papërshtatshme, shpesh të ngushta dhe të pajisura në mënyrë të papërshtatshme për punën që zhvillohet aty.
“Kam vënë re me keqardhje që vetëqeverisjes së drejtësisë, falë pavarësisë që iu dha me reformën në drejtësi, i mungon administrimi i duhur i infrastrukturës dhe aftësia për projektim dhe transformim. Transformimi i godinave pa projekte të besueshme është i pamundur. Përfundimisht, kemi vendosur që këtë mision ta marrim përsipër vetë. Në Shqipërinë 2030, synojmë të kemi një infrastrukturë të transformuar të godinave të drejtësisë, sepse nuk mund të vazhdojmë me hapësira të ngushta dhe të papërshtatshme, që ndikojnë negativisht në performancën e sistemit,” tha Rama.
Kryeministri theksoi se synimi është krijimi i një infrastrukture moderne dhe dinjitoze për gjykatat dhe prokuroritë, që do të kontribuojë në përmirësimin e efikasitetit të drejtësisë dhe shërbimeve për qytetarët.