Prishtinë, 20 tetor 2025 – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me marrëveshjen e kandidatit të partisë në Vushtrri, Xhafer Tahiri, me Lëvizjen Vetëvendosje (VV).
Në një intervistë për GazetaBlic, Haziri e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe në kundërshtim me qëndrimet zyrtare të LDK-së.
“Nuk ka qenë e pritshme, është në kundërshtim me politikat e LDK-së. Është veprim i njëanshëm dhe vetë kryetari i partisë sot ka lëshuar deklaratë, ku secili prej neve i përmbahemi atij zotimi,” tha Haziri, përcjell Periskopi.
Ai ka kritikuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e përshkruar mënyrën e tij të veprimit politik si përçarëse:
“Albin Kurti nuk është ndalë që nga 9 shkurti. Kjo metodë politike, edhe në rastin e Vushtrrisë sot, edhe në raste tjera, është metoda e përçarjes.”
Haziri theksoi se veprimet e tilla të njëanshme e dëmtuan unitetin brenda partisë dhe u shpreh se LDK-ja do të qëndrojë e bashkuar pas udhëheqjes së kryetarit Lumir Abdixhiku.

