Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Londër, ku më 22 tetor do të mbahet Samiti i radhës i Procesit të Berlinit – një nismë që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Në këtë samit do të marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke shënuar kështu takimin e parë mes dy liderëve pas përplasjes publike për Gjykatën Speciale dhe tubimin në mbështetje të UÇK-së në Tiranë.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin britanik, Kurti pritet të zhvillojë disa takime bilaterale me liderë të rajonit dhe përfaqësues të lartë të BE-së.
Temat kryesore të samitit do të jenë siguria, zhvillimi ekonomik dhe migrimi, ndërsa pritet që vendet e Ballkanit Perëndimor të nënshkruajnë deklarata të përbashkëta mbi Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin në fushën e energjisë.
Procesi i Berlinit, i iniciuar nga Gjermania në vitin 2014, mbetet një nga formatet më të rëndësishme të dialogut politik dhe ekonomik për rajonin, me synimin për të përshpejtuar rrugën drejt integrimit evropian.

