Në prag të balotazhit të 9 nëntorit, një takim i papritur ka ngritur shumë pikëpyetje në skenën politike lokale.
Ish-kryetari i Skenderajt dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sami Lushtaku, është parë sot në Suharekë, së bashku me kandidatin e PDK-së, Blerim Kuçi.
Takimi i tyre ka ndodhur në kohën kur në opinion po qarkullojnë zëra për mundësinë e një koalicioni të mundshëm mes LDK-së dhe PDK-së në këtë komunë, ku kandidati i LDK-së, Sami Subashi, do të përballet në balotazh me kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Balton Disha.
Burime lokale i kanë thënë Qendra.info se takimi Lushtaku–Kuçi nuk ka qenë vetëm miqësor, por edhe politik, duke u parë si një sinjal se PDK mund të mbështesë LDK-në në garën për Suharekën.
Nga ana tjetër, as LDK dhe as PDK ende nuk kanë dalë me ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me ndonjë marrëveshje bashkëpunimi në këtë komunë, e cila tashmë shihet si një nga betejat më të forta të balotazhit.
Në zgjedhjet e para dy javëve, Suhareka doli ndër komunat më të diskutueshme, ndërsa tani pritet me interes nëse takimi i sotëm në mes të Lushtakut dhe Kuçit është vetëm rastësor – apo prelud i një koalicioni politik që mund të ndryshojë balancat në raundin e dytë.

