Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Shtime nën dyshimin për vjedhje të rëndë në një banesë në rrugën “14 Dhjetori”, në periudhën nga 22 gushti deri më 18 tetor 2025.
Sipas raportit të policisë, pronari i banesës, një mashkull kosovar-shqiptar që jeton dhe punon jashtë vendit, kishte lënë në banesë 24,800 euro, të cilat më 19 tetor vuri re se mungonin.
Pas pranimit të informatës, Njësiti i Hetimeve Rajonale, në bashkëpunim me ekspertët krim-teknikë, ndërmori menjëherë hetime intensive. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, u kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.
Gjatë ekzaminimit të vendngjarjes, nuk u konstatua asnjë shenjë thyerjeje ose dëmtimi që të tregonte hyrje me forcë.
Si rezultat i hetimeve, më 21 tetor 2025, policia identifikoi dhe arrestoi B.N., 34 vjeç, i biri i pronarit të banesës. I dyshuari u intervistua në prani të avokatit mbrojtës dhe pranoi kryerjen e veprës penale.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë.

