Boris Bondarev, ish-këshilltar i përfaqësisë ruse në OKB dhe i vetmi diplomat rus që ka dhënë dorëheqjen pas pushtimit të Ukrainës, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Bashkimit Evropian, duke e akuzuar se po vepron me frikë, pasivitet dhe iluzione.
Në një intervistë për La Repubblica, Bondarev tha se “Putini nuk do të dorëzohet” dhe se Evropa duhet të zgjohet tani, duke investuar seriozisht në mbrojtje, përndryshe “do të vetëshkatërrohet nga dobësia dhe varësia ndaj të tjerëve”.
“Evropa vazhdon të bëjë të njëjtin gabim – t’u besojë të tjerëve. Ka frikë nga gjithçka, madje edhe të rrëzojë dronët rusë që shkelin hapësirën e saj ajrore. Bashkimi Evropian është bërë fëminor dhe i papërgjegjshëm. Duhet të mbrohet vetë,” – deklaron ish-diplomati rus që sot jeton nën mbrojtje në Zvicër.
Sipas Bondarevit, çdo kontakt midis Vladimir Putin dhe Donald Trump është një cikël i kotë që nuk sjell ndryshim.
“Putini e përdor egon e Trumpit për të mbajtur status quo-në. Ai kërkon respekt dhe nuk do t’i japë Trumpit asgjë që e bën të duket i dobët,” – thotë Bondarev.
Ai paralajmëron se një samit i dytë mes dy liderëve nuk do të sillte asnjë rezultat, pasi Moska nuk ka asnjë interes të negociojë:
“Moska e ka bërë të qartë qëllimin – ta bëjë Ukrainën të vetën. Nuk ka kërkesa ‘minimaliste’. Do të ndalet vetëm kur të tjerët ta pranojnë këtë si fakt.”
Bondarev akuzon udhëheqësit evropianë për mungesë vendosmërie dhe varësi ndaj SHBA-së:
“Liderët evropianë flasin shumë, por nuk bëjnë asgjë. Presin që Amerika t’u zgjidhë problemet. Duan siguri, por që ta paguajnë të tjerët. Trump nuk e sheh BE-në si aleat sepse është e dobët – dhe ka të drejtë.”
Sipas tij, Evropa duhet të fillojë menjëherë një plan masiv për forcimin e mbrojtjes, njësoj si SHBA-të gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur pezulluan prodhimin civil për t’u fokusuar te armët.
“Në vend të kësaj, BE sillet sikur ka gjithë kohën e botës, ndërsa Rusia vepron me shpejtësi. Kjo është vetëvrasje strategjike.”
Bondarev kritikon mungesën e strategjisë perëndimore në ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.
“BE thotë se Ukraina nuk duhet të humbasë, por nuk bën asgjë që ajo të fitojë. Jep armë pa plan dhe pa vizion për sigurinë e ardhshme të kontinentit.”
Ai shton se dorëzimi i raketave Tomahawk mund të ketë efekt simbolik, por nuk ndryshon balancën nëse mungon një strategji e qartë për fitoren.
Sipas ish-diplomatit, pavarësisht vështirësive ekonomike, Putini ende kontrollon burime të mjaftueshme për ta zgjatur luftën.
“Ai jeton në një realitet të rremë, por do ta vazhdojë luftën për sa kohë të ketë mundësi. Ka një objektiv dhe nuk do të ndalet pa e arritur.”
Në fund, Bondarev thekson se nëse Perëndimi nuk ndërmerr veprime konkrete për ta ndihmuar Ukrainën, lufta do të vazhdojë pa fund:
“Ukrainasit do të luftojnë derisa të kenë besim në kauzën e tyre. Por nëse e humbasin këtë besim sepse ndihen të braktisur, gjithçka do të mbarojë.”
Ai mbyll me një paralajmërim klasik:
“Nuk jam pesimist, jam realist. Udhëheqësit evropianë duhet të lexojnë sërish Makiavelin. Ai i ka shkruar këto pesë shekuj më parë – dhe asgjë nuk ka ndryshuar.”