Evropa po konsolidohet për të konkurruar me Starlink-un e Elon Musk. Tre nga grupet më të mëdha të hapësirës ajrore në kontinent – Airbus, Thales dhe Leonardo – kanë arritur një marrëveshje historike për të bashkuar aktivitetet e tyre të prodhimit të satelitëve, të cilat prej vitesh kanë qenë në humbje.
Pas muajsh negociatash intensive, kompanitë zbuluan të enjten një marrëveshje fillestare që synon të krijojë një sipërmarrje të re të përbashkët deri në vitin 2027, në pritje të miratimit nga rregullatorët evropianë – të cilët në të kaluarën kanë kundërshtuar projekte të tilla konsolidimi.
Njësia e re, që ende nuk ka një emër zyrtar, do të punësojë rreth 25,000 punëtorë në të gjithë Evropën dhe do të gjenerojë të ardhura vjetore prej rreth 6.5 miliardë eurosh, bazuar në shifrat e vitit 2024, sipas deklaratës së përbashkët të kompanive.
Sipas marrëveshjes, Airbus do të mbajë 35% të aksioneve, ndërsa Thales dhe Leonardo do të zotërojnë nga 32.5% secila, duke operuar nën kontroll të përbashkët me një strukturë të ekuilibruar qeverisjeje.
Kombinimi pritet të sjellë miliona euro sinergji në fitime operative brenda pesë viteve nga themelimi.
Me emrin e koduar “Projekti Bromo”, negociatat nisën vitin e kaluar, duke marrë modelin e bashkëpunimit të MBDA, prodhuesit evropian të raketave në pronësi të Airbus, Leonardo dhe BAE Systems.
Për vite me radhë, prodhuesit evropianë të satelitëve kanë konkurruar për ndërtimin e anijeve kozmike komplekse në orbitën gjeostacionare, por tregu është përmbysur nga hyrja agresive e Starlink dhe rrjetet e tjera të satelitëve të vegjël dhe me kosto të ulët në orbitën e ulët të Tokës.
Në deklaratën e përbashkët, drejtuesit e tre kompanive theksuan se bashkimi do të ndihmojë në forcimin e autonomisë strategjike të Evropës në fushën hapësinore dhe në mbrojtjen e pavarësisë teknologjike nga konkurrentët ndërkombëtarë.
Marrëveshja do të bashkojë aktivitetet e Thales Alenia Space dhe Telespazio – sipërmarrje të përbashkëta midis Leonardo dhe Thales – si dhe bizneset hapësinore dhe dixhitale të Airbus, përfshirë aktivitetet e mbetura të Leonardo dhe Thales SESO.
Edhe pse kompanitë kanë shkurtuar rreth 3,000 vende pune në sektorin hapësinor gjatë viteve të fundit, ato deklaruan se nuk planifikohen reduktime të reja në kuadër të projektit, por sindikatat do të konsultohen për hapat e ardhshëm.
Sipas Reuters, marrëveshja u arrit pas disa pengesave gjatë verës, kryesisht për çështje të qeverisjes së brendshme dhe vlerësimit të aseteve, por u arrit konsensusi që i hap rrugë krijimit të një kampioni të ri evropian të satelitëve që do të sfidojë dominimin global të Starlink-ut.