Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në sesionin e liderëve të Berlin Global Dialogue, ku ka theksuar rëndësinë e rolit të Kosovës në kuadër të Bashkimit Evropian dhe kontributin që vendi mund t’i japë komunitetit evropian në fushën e demokracisë, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.
Osmani deklaroi se Kosova është një partnere që e kupton nga përvoja rrezikun që paraqesin forcat e dëmshme dhe se është e gatshme të kontribuojë në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe paqes në kontinent.
“Pranisë së Kosovës në familjen evropiane i bashkohet një partner që nga përvoja e parë e kupton rrezikun që paraqesin forcat e dëmshme dhe që është i gatshëm të kontribuojë në mbrojtjen e vlerave demokratike,” theksoi Presidentja Osmani.
Duke folur për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, ajo nënvizoi se ky proces duhet të bazohet në merita dhe reforma reale, jo në konsiderata politike.
“Integrimi mbi bazë merite i Ballkanit Perëndimor nuk është një proces bamirësie, por një zgjedhje strategjike për të gjithë Evropën,” u shpreh Osmani.
Presidentja shtoi se Kosova sjell energji, inovacion dhe talent të rinj që janë të domosdoshëm për konkurrueshmërinë dhe kohezionin e Evropës moderne.
Ajo theksoi gjithashtu se qëndresa dhe përkushtimi i Kosovës ndaj parimeve demokratike, përballë ndërhyrjeve të dëmshme, forcojnë mburojën e sigurisë për tërë kontinentin evropian.

