Një donacion misterioz prej 130 milionë dollarësh ka mbërritur në Departamentin amerikan të Mbrojtjes, për të ndihmuar në mbulimin e pagave të trupave gjatë mbylljes së qeverisë federale. Zyrtarët e Pentagonit kanë konfirmuar marrjen e shumës së majme, por kanë refuzuar të zbulojnë identitetin e donatorit apo detaje mbi mënyrën e verifikimit të donacionit.
Presidenti Donald Trump e bëri publik lajmin të enjten, duke deklaruar se “një mik” kishte ofruar shumën nga ndjenja patriotizmi. Ndërkohë, mbyllja e zgjatur e qeverisë ka detyruar Departamentin e Mbrojtjes të zhvendosë fonde të papërdorura të kërkimit për të garantuar pagesat e trupave deri në mes të muajit, megjithëse pagesat e ardhshme mbeten të pasigurta.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, konfirmoi të premten se donacioni është pranuar “nën autoritetin e përgjithshëm të pranimit të dhuratave” dhe se fondet do të përdoren për pagat dhe përfitimet e anëtarëve të shërbimit. “Ne jemi mirënjohës për ndihmën e këtij donatori pasi demokratët zgjodhën të mbanin pagat nga trupat,” tha ai, duke e lidhur çështjen me përplasjen politike në Kongres.
Megjithatë, Pentagon nuk ka sqaruar nëse dhuruesi është shtetas amerikan apo i huaj, çka ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe ligjshmërinë e veprimit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, kostoja totale e pagave të trupave për gjysmën e parë të tetorit është rreth 6.5 miliardë dollarë, që do të thotë se donacioni mbulon më pak se një të tretën e pagës ditore të forcave.
Eksperti i buxhetit të mbrojtjes në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve, Todd Harrison, e quajti këtë veprim “një ide të papjekur dhe të paverifikuar”. Ai shpjegoi se, në raste të tjera, donacionet publike për programet ushtarake zakonisht miratohen paraprakisht nga Kongresi dhe kufizohen në projekte specifike, si ndërtimi i objekteve sportive në akademitë ushtarake.
Rregulloret e DOD kërkojnë që çdo donacion mbi 10 mijë dollarë që përfiton trupat ose familjet e tyre të kalojë përmes rishikimit të zyrtarëve të etikës, për të siguruar që dhuruesi nuk ka interesa që mund të ndikohen nga ndihma.
Ndërkohë, çështja e pagave ushtarake ka ndezur debate të ashpra në Kongres. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë refuzuar të shqyrtojnë një projektligj që do të siguronte pagesat e trupave gjatë mbylljes, duke kërkuar që demokratët e Senatit të mbështesin një zgjatje të përkohshme të financimit.
Senati republikan tentoi të kalonte një masë që do të garantonte pagesat për trupat dhe disa punonjës federalë aktivë, por ajo u bllokua nga demokratët për shkak se përjashtonte punonjësit e pushuar nga puna.
Kongresi pritet të shqyrtojë projektligje të tjera mbi pagat ushtarake javën e ardhshme, ndërsa pagesa e ardhshme e trupave është planifikuar të lëshohet më 30 tetor.

