Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në edicionin e 10-të të konferencës “Software Freedom Kosova”, e organizuar nga Free Libre Open Source Software Kosova (FLOSSK). Ngjarja, që konsiderohet si konferenca më e madhe për teknologjitë e hapura në rajon, u mbajt në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) në Universitetin e Prishtinës.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti vlerësoi angazhimin e FLOSSK dhe rolit të saj në promovimin e bashkëpunimit qytetar dhe progresit të qëndrueshëm:
“Përmes punës suaj, Kosova ka organizuar konferenca ndërkombëtare si DebConf dhe FOSS4G, duke treguar se vendi ynë mund të kontribuojë në lëvizjen globale të burimeve të hapura. FLOSSK ka luajtur një rol kyç edhe në përmirësimin e mbulimit të Kosovës në OpenStreetMap, duke krijuar të dhëna gjeografike të lirë për navigim dhe planifikim. ‘Software Freedom Kosova 2025’ e vazhdon këtë mision”, tha Kurti.
Ai shtoi se komuniteti i teknologjisë së hapur simbolizon hapjen, bashkëpunimin dhe besimin në njohuritë e përbashkëta, elemente kyçe për të ardhmen digjitale dhe shoqërore të vendit.
Kryeministri theksoi se qeveria e Kosovës mbështet vizionin e FLOSSK:
-
Teknologjia e hapur dhe arsimi cilësor janë motorë të zhvillimit kombëtar.
-
Bashkëpunimi midis komuniteteve nxit inovacionin dhe integrimin global.
-
Të rinjtë inkurajohen të kontribuojnë – qoftë përmes një linje kodi, prototipi hardueri, përmirësimi të hartave ose redaktimeve në Wikipedia.
“Çdo kontribut juaj ndihmon në ndërtimin e Kosovës më të fortë dhe më të lidhur me botën”, tha Kurti.
Në përmbyllje, kryeministri theksoi sfidat dhe mundësitë e epokës së inteligjencës artificiale:
“Duhet të sigurohemi që AI të flet edhe shqip, në mënyrë që askush të mos mbetet pas dhe që gjuha, kultura dhe kreativiteti ynë të vazhdojnë të rriten dhe të jetojnë në teknologjitë e së ardhmes.”

