Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar në prag të seancës së Kuvendit ku pritet të votohet për formimin e qeverisë së re, duke deklaruar se “sot bie perdja e mashtrimit” që, sipas tij, Vetëvendosje ka ushqyer për muaj të tërë rreth ekzistencës së shumicës parlamentare.
“Punët e mira nuk lihen në ditët e fundit, por sot bie perdja e madhe e mashtrimit tetëmujor, në të cilin na është thënë se numrat për formimin e qeverisë janë dhe se po bllokohet vullneti i popullit të Kosovës. Tani është mundësia për të parë të vërtetën,” deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka lënë të kuptohet se partia e tij është e gatshme të përballet me çdo zhvillim politik që mund të vijë pas seancës së sotme, duke nënvizuar se realiteti parlamentar do të dalë në pah dhe se pretendimet për shumicë të Vetëvendosjes do të rrëzohen përfundimisht.
Seanca e sotme konsiderohet vendimtare për fatin e qeverisë së re — një moment kyç në të cilin blloku opozitar synon të shfaqë unitet, ndërsa VV përpiqet të sigurojë mbështetjen e munguar për të formuar kabinetin e saj.

