Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se duke filluar nga viti 2026, qytetarët shqiptarë do të pajisen me identitetin e tyre digjital, një hap që do të shënojë kalimin përfundimtar nga kartat fizike të identitetit drejt identitetit elektronik të aksesueshëm përmes telefonit apo kompjuterit.
Në podkastin e tij “FLASIM”, Rama sqaroi se procesi po zhvillohet në bashkëpunim me kompaninë IdentiTek, e cila është angazhuar për ndërtimin e sistemit të ri që do të lejojë funksionimin e një portofoli digjital shumëfunksional, të integruar drejtpërdrejt në pajisjet e qytetarëve.
“Karta e identitetit do të kalojë në celular apo në kompjuter dhe do të funksionojë si një portofol digjital komod, shumëfunksional dhe i sigurt. Edhe Bashkimi Evropian po ecën në të njëjtën rrugë, duke vendosur që deri në vitin 2027 identiteti digjital të bëhet pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve evropianë,” deklaroi Rama.
Rama theksoi se Shqipëria është gati për këtë hap madhor dhe se testet përfundimtare të sistemit po zhvillohen në mënyrë që projekti të hyjë në zbatim që nga fillimi i vitit 2026.
Karta digjitale e identitetit, e prezantuar tashmë si produkt nga IdentiTek, do të ofrojë akses të sigurt dhe të shpejtë në shërbimet publike dhe private, duke lehtësuar ndërveprimet e qytetarëve me institucionet shtetërore dhe duke reduktuar burokracinë.
Ky projekt shënon një hap strategjik drejt modernizimit të administratës publike shqiptare dhe përputhjes me standardet e Bashkimit Evropian, duke e futur Shqipërinë në një epokë të re të identitetit elektronik dhe të qytetarisë digjitale.

