Kryeministri polak, Donald Tusk, ka paralajmëruar liderët evropianë kundër çdo përpjekjeje për të rivendosur lidhjet ekonomike me Rusinë, duke e cilësuar një gjë të tillë si “një kambanë alarmi për Evropën”.
Në një intervistë për Sunday Times, Tusk theksoi se fundi i mundshëm i luftës në Ukrainë mund të hapë rrugën për zëra që kërkojnë rinisjen e projektit të ndaluar të gazsjellësit Nord Stream 2.
“E di se kjo do të thotë që dikush në Evropë dëshiron të rifillojë Nord Stream 2, të bëjë biznes me naftën dhe gazin rus. Për mua, kjo është gjithmonë një kambanë alarmi”, – deklaroi Tusk.
Tubacioni Nord Stream 2, që transportonte gaz nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik, u hodh në erë në vitin 2022, pak pas pushtimit rus të Ukrainës. Projekti u kritikua prej kohësh si një simbol i varësisë energjetike të Evropës nga Moska dhe një “gabim strategjik”.
Më vonë, autoritetet arrestuan një zhytës profesionist ukrainas, i dyshuar për përfshirje në sabotimin e tubacionit.
“Problemi me Nord Stream 2 nuk është që u hodh në erë, por që u ndërtua”, – shkroi Tusk më herët në rrjetin social X.
Në intervistën për Sunday Times, Tusk kritikoi vetëkënaqësinë e Evropës dhe nënvlerësimin e vazhdueshëm të kërcënimeve ekspansioniste të Vladimir Putinit, duke thënë se kontinenti po përballet me “fundin e epokës së iluzioneve”.
“Shumë vonë për të qenë të përgatitur mirë për të gjitha kërcënimet, por jo shumë vonë për të mbijetuar”, – shtoi ai.
Tusk, dikur president i Këshillit Evropian, e quajti daljen e Britanisë nga BE-ja një nga gabimet më të mëdha në historinë moderne të Evropës, duke nënvizuar se pasojat negative të Brexit-it tashmë janë më të dukshme se kurrë.
“Pas Brexit-it, polakët e kuptuan se jeta në Mbretërinë e Bashkuar nuk është më e mirë se në Poloni – madje britanikët po kthehen e po nisin jetën këtu”, – tha Tusk me një dozë ironie.
Donald Tusk po i kujton Evropës se paqja me Rusinë nuk mund të blihet me gaz.
Për Poloninë – dhe për shumë të tjerë në lindje të kontinentit – Nord Stream 2 është një plagë e hapur, jo një projekt për t’u ringjallur.

