Presidenti amerikan Donald Trump ka vlerësuar kryeministren e re të Japonisë, Sanae Takaichi, duke e quajtur faktin që ajo është grua e parë në historinë e vendit që mban këtë post një “gjë të madhe”. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i fuqishëm i Japonisë, ndërsa dy udhëheqësit nënshkruan marrëveshje të reja që forcojnë partneritetin ekonomik dhe strategjik mes dy vendeve.
Takimi në Tokio
Trump e nisi të martën një nga ditët më të ngarkuara të turit të tij aziatik me një takim miqësor me Takaichin në Tokio. Pas takimit, ai pritet të flasë me trupat amerikane në një aeroplanmbajtëse dhe të takohet me udhëheqës biznesi.
Gjatë takimit, Trump i bëri asaj një kompliment tipik:
“Ky është një shtrëngim duarsh shumë i fortë”, – tha ai me buzëqeshje.
Takaichi iu përgjigj duke njoftuar se Japonia do t’i dhurojë 250 pemë qershie Shteteve të Bashkuara për të shënuar 250-vjetorin e pavarësisë amerikane, si dhe fishekzjarre nga Prefektura Akita për festimet e 4 korrikut.
Ajo përmendi me respekt edhe mentorin e saj, ish-kryeministrin Shinzo Abe, duke kujtuar marrëdhënien e tij të ngushtë me Trump:
“Kryeministri Abe më foli shpesh për diplomacinë tuaj dinamike,” – tha Takaichi.
Marrëveshja e “Epokës së Artë”
Dy udhëheqësit nënshkruan marrëveshjen për ‘epokën e artë’ të aleancës SHBA–Japoni, e cila riafirmon partneritetin strategjik dhe ekonomik mes dy vendeve. Dokumenti parashikon që Japonia të investojë 550 miliardë dollarë në SHBA, si pjesë e një pakti tregtar që përfshin edhe tarifa prej 15% për mallrat japoneze të importuara.
Po ashtu, u nënshkrua një marrëveshje e dytë që krijon një kornizë dypalëshe për sigurimin e mineraleve kritike dhe metaleve të rralla, të nevojshme për teknologjitë e avancuara.
Investime dhe simbole politike
Takaichi është përgatitur për një “ofensivë simpatike” ndaj Shtëpisë së Bardhë, duke përfshirë blerjen e mundshme të kamionëve Ford F-150 – një hap simbolik për të balancuar tregtinë mes dy vendeve. Trump ka kritikuar shpesh Japoninë për mungesë importesh të automjeteve amerikane, që shpesh janë shumë të mëdha për rrugët e ngushta japoneze.
Jashtë Pallatit Akasaka, ku u zhvillua takimi, gazetarët panë të parkuar një Ford F-150 të artë dhe një Toyota të bardhë të prodhuar në SHBA, si simbol të bashkëpunimit ekonomik.
Diplomaci dhe vlerësime
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Trump e vlerësoi Takaichin për vendosmërinë dhe rolin historik që ajo mban:
“Çdo gjë që mund të bëjmë për të ndihmuar Japoninë, ne do të jemi atje. Ne jemi një aleat në nivelin më të fortë.”
Në anën tjetër, sipas Sekretares së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, kryeministrja japoneze planifikon të nominojë Trumpin për Çmimin Nobel për Paqe.
Më pas, dy udhëheqësit u takuan edhe me familjet e qytetarëve japonezë të rrëmbyer nga Koreja e Veriut, një çështje humanitare që prej vitesh mbetet në qendër të marrëdhënieve Tokio–Phenian.

