Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë të lëshimit të certifikatave të rreme mjekësore dhe dokumenti të falsifikuar për patentë shoferë.
Në bazë të aktakuzës, L.B., në cilësinë e drejtorit të poliklinikës “G.” në Prizren, i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për lëshimin e certifikatave mjekësore, dyshohet se më 15 korrik 2023 ka tejkaluar autorizimet e tij zyrtare duke lëshuar certifikata mjekësore të falsifikuara për kandidatët B.V. dhe B.Th., të cilët ndodheshin jashtë Kosovës në atë periudhë.
Sipas hetimeve, L.B. kishte vërtetuar në mënyrë të rreme se kandidatët kishin kryer kontrollin mjekësor, duke ua mundësuar regjistrimin për provim patentë shofer në auto-shkollat “S.” në Prizren dhe “F.” në Malishevë. Me këto veprime, ai akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bazë të nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërkohë, të pandehurit U.M. dhe I.G., përfaqësues të dy auto-shkollave, dyshohen se kanë përpiluar dhe dorëzuar dokumente të falsifikuara për kandidatët në fjalë, duke pretenduar se ata kishin ndjekur ligjëratat teorike, ndonëse ishin jashtë territorit të Kosovës.
Për këto veprime, të dy akuzohen për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, në bazë të nenit 395 të KPRK-së.
Prokurori i çështjes ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

