Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas lajmit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për shtetësinë dhe integrimin ndërkombëtar të vendit.
Në një postim në Facebook, Krasniqi u shpreh se Siria është shteti i 120-të që njeh Kosovën, duke falënderuar miqtë ndërkombëtarë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj vendit.
“Siria ka njohur pavarësinë e shtetit tonë, duke e çuar në 120 numrin e njohjeve ndërkombëtare. Mirënjohje për miqtë tanë që vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës dhe për rolin e tyre në këtë proces,” — shkroi Krasniqi.
Ai theksoi se çdo njohje e re përbën një hap përpara drejt forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke nënvizuar nevojën për një politikë të jashtme më aktive dhe bashkëpunuese.
“Kosova ka nevojë për më shumë miqësi, më shumë diplomaci dhe më shumë besim në vetvete. Vizioni izolues duhet të marrë fund,” — deklaroi ai, duke shtuar se vendi duhet të rikthehet në një politikë të jashtme dinjitoze, në aleancë të plotë me partnerët strategjikë.
Reagimi i Krasniqit vjen pas zhvillimit të madh diplomatik të ditës, ku Presidentja Vjosa Osmani njoftoi njohjen e Kosovës nga Siria, një akt i ndërmjetësuar me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman.

