Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për “lëndim të lehtë trupor” dhe një tjetër për “prishje të rendit dhe qetësisë publike”, pas një incidenti të ndodhur në rrugën “Milan Shuflaj” në Mitrovicë të Veriut.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 12:50 të ditës së sotme, zyrtarët policorë të Stacionit në Mitrovicë Veri ndërhynë gjatë një rrahjeje mes disa personave.
Në vendngjarje u arrestua N.B. (39 vjeç), i dyshuar se sulmoi fizikisht dy persona, baba e bir, pas një mosmarrëveshjeje në trafik. Viktimat kanë marrë trajtim mjekësor dhe më pas janë liruar.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është inicuar rasti “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkohë, vëllai i personit të arrestuar, N.B. (46 vjeç), është paraqitur në stacionin policor, ku ka fyer viktimat, për çka është gjobitur për prishje të rendit dhe qetësisë publike, në bazë të ligjit për kundërvajtje.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në arrestimin e çdo personi që kryen apo tenton të kryejë vepra penale.

