Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Luftimin e Narkotikëve, ka realizuar një aksion të koordinuar në orët e hershme të mëngjesit, ku janë arrestuar tre persona nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ky operacion është vazhdimësi e hetimeve të nisura në kuadër të rastit të koduar “Vera 2024”, që lidhet me zbulimin e një plantacioni të madh kanabisi në fshatin Sverkë të Pejës, ku gjatë vitit të kaluar autoritetet kishin sekuestruar rreth 3,000 bimë narkotike dhe afërsisht një ton marihuanë.
Arrestimet u ekzekutuan nga Njësiti Special Intervenues në rajonin e Pejës dhe Gjakovës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa janë sekuestruar dy automjete, tre telefona mobil dhe para në kesh.
Prokuroria njofton se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.
Lidhur me këtë rast, më herët – me kërkesë të prokurorit të shtetit – në Shqipëri janë arrestuar edhe tetë persona të tjerë, të dyshuar për të njëjtën vepër penale.

