Nata e kaluar ishte një ndër më të përgjakshmet në Ukrainë javëve të fundit. Të paktën gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën si pasojë e sulmeve ruse me dronë dhe raketa në rajonet Dnipropetrovsk dhe Odessa, ndërsa më shumë se dhjetë të tjerë u plagosën, ka njoftuar zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës.
“Forcat ruse sulmuan rajonet e Dnipropetrovsk dhe Odessa. Gjashtë persona vdiqën, përfshirë dy fëmijë,” – thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar në Telegram, cituar nga AFP.
Sipas Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, edhe rajonet Zaporozhye, Kharkiv dhe Chernihiv u goditën nga valë të tjera sulmesh. Guvernatori i Zaporozhyes, Ivan Fedorov, tha se pas bombardimeve, rreth 58 mijë familje mbetën pa energji elektrike.
Në një kundërpërgjigje të menjëhershme, forcat ukrainase përdorën dronë për të sulmuar portin rus të Tuapses në Detin e Zi, në rajonin Krasnodar.
Sulmi, sipas autoriteteve lokale, dëmtoi infrastrukturën portuale, dogji një tanker dhe shkaktoi zjarr në terminalin e naftës. Dy anije civile u dëmtuan gjithashtu, raportoi agjencia dpa.
Tuapse është një nga portet më strategjike të Rusisë për eksportet e naftës, krahas Novorossiyskut, që ndodhet rreth 170 kilometra më në veri-perëndim. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se dëmtimet e infrastrukturës në këto porte mund të ndikojnë në kapacitetin rus të eksportit të energjisë.
Sulmet e ndërsjella ajrore po bëhen gjithnjë e më intensive.
Në rajonin rus të Rostovit, dy persona u plagosën nga sulmet ukrainase, ndërsa Ministria e Mbrojtjes së Rusisë pretendon se mbrojtja ajrore ka ndaluar 164 dronë ukrainas gjatë natës.
Ndërkohë, Kievi paralajmëron se dimri i këtij viti mund të jetë më i rëndë se ai i kaluar, pasi Rusia po synon sistematikisht infrastrukturën energjetike për të zhytur Ukrainën “në errësirë dhe të ftohtë”.

