E hëna në Kosovë do të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, me temperatura ende të larta për këtë periudhë dhe intervale të shumta me diell. Në pjesën më të madhe të vendit pritet mot me diell dhe vranësira lokale, ndërsa në Dukagjin do të ketë më shumë vranësira. Pasdite vonë parashikohet shtim i vranësirave me reshje lokale shiu, ndërsa gjatë mbrëmjes dhe natës priten rrebeshe shiu në të gjitha viset, vende-vende të shoqëruara me vetëtima dhe bubullima. Temperaturat do të jenë të ngrohta gjatë ditës, me maksimalet që do të kalojnë 20°C, por në mbrëmje pritet ulje e tyre.
Edhe në rajon, moti do të jetë i ngjashëm. Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi parashikohet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Më shumë vranësira do të ketë në Shqipëri, Mal të Zi dhe pjesët perëndimore të Maqedonisë, ndërsa zonat e tjera do të kenë më shumë diell dhe temperatura të larta për fillimin e nëntorit.

