Sektori i shëndetësisë në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor po përballet me mungesë të theksuar të stafit mjekësor, si pasojë e emigrimit masiv të mjekëve dhe infermierëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Gjermanisë.
Një studim i fundit gjerman mbi emigrimin nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka evidentuar se rreth 50% e stafit shëndetësor nga Kosova kishin emigruar dhe punonin në Gjermani deri në fund të vitit 2023.
Sipas raportit, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë ndër vendet më të prekura. Në vitin 2023, numri i shtetasve kosovarë që punonin në sistemin gjerman të kujdesit shëndetësor ishte i barabartë me 50.3% të fuqisë punëtore vendase të kujdesit shëndetësor. Për Bosnjën kjo shifër ishte 42.5%, për Maqedoninë e Veriut 9%, për Malin e Zi 13.9%, ndërsa për Serbinë 7.2%.
Nga ana tjetër, punësimi i shtetasve të Ballkanit Perëndimor në sektorin gjerman të shëndetësisë është rritur mesatarisht me 27.2% në vit gjatë periudhës 2015–2024, ndërsa për Shqipërinë rritja vjetore ka qenë rreth 17%.
Studimi thekson se emigracioni po ushtron presion të madh mbi sistemet shëndetësore të rajonit, në një kohë kur popullsia po plaket dhe kërkesat për kujdes shëndetësor janë në rritje. Sipas Kombeve të Bashkuara, popullsia mbi 75 vjeç në Ballkan pritet të rritet ndjeshëm, ndërsa popullsia në moshë pune do të bjerë, duke thelluar krizën e personelit mjekësor.
Sistemet e kujdesit shëndetësor në rajon tashmë tregojnë shenja të tendosjes. Kjo u bë e dukshme gjatë pandemisë së Covid-19, kur vendet e Ballkanit regjistruan shkallë vdekshmërie më të lartë se mesatarja globale.
Një tjetër tregues shqetësues është numri i ulët i mjekëve për frymë në krahasim me vendet e Evropës Perëndimore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (2024), Shqipëria ka ndër raportet më të ulëta të mjekëve për banor në Evropë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ky numër ka rënë edhe më tej, pjesërisht për shkak të emigrimit të mjekëve jashtë vendit.
Raporti gjerman përfundon se emigrimi i punonjësve shëndetësorë përkeqëson drejtpërdrejt situatën në vendet e origjinës — duke çuar në kohë më të gjata pritjeje, mungesë shërbimesh në zonat rurale dhe ngarkesë më të madhe pune për mjekët që mbeten në sistem.

