Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Podujevës, ku një person është therur me thikë në rrugën “Zahir Pajaziti”.
Lajmin e ka konfirmuar për mediat zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se dy persona janë arrestuar në lidhje me rastin dhe se janë sekuestruar dy thika që dyshohet se u përdorën gjatë incidentit.
“Sot rreth orës 14:30 kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është lënduar një person. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka arrestuar dy persona të dyshuar dhe ka sekuestruar dy thika”, – deklaroi Ahmeti.
Sipas saj, hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, janë duke punuar për sqarimin e plotë të rrethanave që çuan në këtë ngjarje.
Ende nuk dihen motivët e incidentit, ndërsa policia ka nisur procedurat ligjore ndaj të dyshuarve.

