Komisioni Evropian ka miratuar sot raportet e progresit për vendet kandidate dhe aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke konfirmuar se zgjerimi mbetet një nga prioritetet strategjike të Unionit.
Në raportin e ri, Komisioni vlerëson se Mali i Zi dhe Shqipëria janë më pranë përmbylljes së negociatave të anëtarësimit, ndërsa Ukraina dhe Moldavia janë të gatshme të nisin bisedimet për të gjitha blloqet tematike brenda këtij viti.
Von der Leyen: Zgjerimi i BE-së është më i arritshëm se kurrë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi këtë valë të re zgjerimi si “një mundësi historike për Evropën”.
“Ne do ta bëjmë zgjerimin e BE-së një realitet më shumë se kurrë më parë. Një Bashkim më i madh do të thotë një Evropë më e fortë dhe më me ndikim në skenën botërore,” tha ajo, duke shtuar se procesi duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe reforma të qëndrueshme.
Von der Leyen theksoi se pranimi në BE është një mundësi unike për paqe, prosperitet dhe solidaritet:
“Me reformat e duhura dhe me vullnet politik, çdo vend mund ta shfrytëzojë këtë mundësi.”
Kallas: Dritarja e mundësisë është e hapur deri në vitin 2030
Përfaqësuesja e Lartë e Komisionit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, theksoi se vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për përfundimin e procesit të zgjerimit.
“Mundësitë për të zgjeruar Unionin nuk vijnë shpesh, por dritarja e mundësisë tani është e hapur. Pranimi i vendeve të reja deri në vitin 2030 është një qëllim i arritshëm – por pa rrugë të shkurtra,” deklaroi ajo.
Shqipëria dhe Mali i Zi: drejt përfundimit të negociatave
Në raportin e Komisionit theksohet se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë përparim të qëndrueshëm në reformat e brendshme dhe kapitujt e negociatave.
Mali i Zi ka mbyllur katër kapituj negociatash gjatë vitit të fundit dhe pritet të përfundojë procesin deri në fund të vitit 2026, nëse ruan ritmin aktual të reformave.
Shqipëria, nga ana tjetër, ka hapur katër blloqe të reja negociuese dhe pritet të hapë bllokun e fundit deri në fund të këtij viti.
“Është bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, në reformën gjyqësore dhe në forcimin e institucioneve. Megjithatë, nevojitet përpjekje e vazhdueshme për të mbyllur kapitujt negociues,” thuhet në raport.
Nëse reformat dhe dialogu politik ruajnë ritmin aktual, Shqipëria mund të përfundojë negociatat deri në vitin 2027.
Ukraina dhe Moldavia: gati për fazën e plotë të negociatave
Komisioni vlerëson se Ukraina dhe Moldavia kanë përmbushur shumicën e kushteve për të hapur të gjitha blloqet e negociatave, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, tregut të brendshëm dhe marrëdhënieve të jashtme.
Ukraina synon t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2028, ndërsa Moldavia synon fillimin e vitit 2028, nëse reformat përshpejtohen.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se pavarësisht pengesave politike, procesi është “realizueshëm dhe historik për të dy vendet.”
Ajo shtoi se për të shmangur vonesat politike nga veto të mundshme, Komisioni po punon për një mandat fleksibël që lejon hapjen e blloqeve në nivel të Këshillit të BE-së, pa pritur miratimin unanim të liderëve.
“As Ukraina dhe as Moldavia nuk kanë nevojë që zoti Orban të miratojë çdo reformë,” u shpreh Kos me tone të qarta ndaj bllokimeve të mëparshme nga Budapesti.
Serbia: kritika për mungesë progresi dhe liri të kufizuar të fjalës
Raporti i Komisionit është më kritik ndaj Serbisë, duke theksuar ngadalësimin e reformave, kufizimet në lirinë e shprehjes dhe lirinë akademike, si dhe përdorimin e tepruar të forcës gjatë protestave.
Komisioni pranon disa hapa pozitivë në përzgjedhjen e anëtarëve të rregullatorit të medias dhe nisjen e reformave zgjedhore, por thekson se atmosfera politike mbetet sfiduese dhe ndikon drejtpërdrejt në procesin e anëtarësimit.
Raporti i sotëm i Komisionit Evropian konfirmon se zgjerimi i BE-së është më afër se kurrë, me disa vende që mund të përfundojnë negociatat deri në fund të dekadës.
Shqipëria dhe Mali i Zi pritet të jenë ndër vendet e para që i afrohen anëtarësimit të plotë, ndërsa Ukraina dhe Moldavia janë gati të hyjnë në fazën e re të procesit.
Serbia, ndërkohë, përballet me kërkesa të qarta për reforma demokratike dhe respekt më të madh për liritë themelore.

