Një skulpturë hiperrealiste e presidentit amerikan Donald Trump, e paraqitur i lidhur në një kryq dhe i veshur me uniformë burgu, ka shkaktuar diskutime të gjera në Zvicër. Vepra, e titulluar “Saint or Sinner” (“Shenjt apo Mëkatar”), është ekspozuar në qytetin e Bazelit dhe mban autorësinë e artistit britanik Mason Storm.
Skulptura e vendos Trump në një pozicion që kujton ikonografinë tradicionale të Krishtit të kryqëzuar, një zgjedhje që disa e kanë cilësuar provokuese, ndërsa të tjerë e kanë quajtur kritike politike ose simbolike artistike.
“Më shumë sesa një deklaratë kundër apo pro Trump, kjo vepër kërkon të nxisë reflektim se si ndërtohen figurat politike dhe si perceptohen ato nga shoqëria,” është shprehur Storm, i cili njihet për stilin realist dhe për mbajtjen e identitetit të tij në nivel të ulët publik.
Reagimet kanë qenë të ndara. Një vizitore nga Norvegjia deklaroi për mediat lokale se “fakti që një vepër e tillë mund të ekspozohet tregon lirinë e shprehjes”, ndërsa pronari i galerisë tha se arti shpesh përdor simbolika të forta për të ngritur pyetje, jo për të ofruar përgjigje.
Skulptura është ekspozuar më parë në Vjenë dhe tashmë është blerë nga një koleksionist privat, i cili ka kërkuar të mbetet anonim.
Ekspozita në Bazel po tërheq numër të madh vizitorësh dhe ka rihapur debatet mbi kufijtë e artit, politikës dhe simbolikës fetare.

