Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën thekson se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë përballur me sfida të theksuara gjatë periudhës raportuese, përfshirë pengimin e drejtësisë, ekzekutimin e dënimeve dhe kompensimin e viktimave.
Sipas Raportit, gjatë vitit 2024, DhSK ka shpallur aktgjykimin e dytë në shkallë të parë për një rast që lidhet me krime lufte – atë të Pjetër Shalës – ndërsa çështja aktualisht ndodhet në Apel.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar vazhduan zgjidhjen e rasteve në proces. Në vitin 2024, gjykata e shkallës së parë shpalli aktgjykimin e saj të dytë në një rast për krime lufte; rasti është në apel,” thuhet në dokument.
Raporti përmend gjithashtu aktgjykimin ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës për vepra që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, si dhe pranimin e një aktakuze të re për pengim të drejtësisë.
“Këto raste tregojnë sfidat me të cilat përballet DhSK, përfshirë pengimin e drejtësisë, zbatimin e dënimeve dhe kompensimin e viktimave kosovare,” thekson Komisioni Evropian.
Në pjesën tjetër të raportit, theksohet se Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka vazhduar të asistojë institucionet e vendit për forcimin e sundimit të ligjit, duke përfshirë edhe mbështetjen logjistike dhe operacionale ndaj DhSK dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Mandati aktual i EULEX-it është i zgjatur deri në qershor të vitit 2027 dhe përfshin funksione kryesisht monitoruese dhe këshilluese, ndërsa Njësia Policore e Specializuar e misionit mbetet reaguesi i dytë i sigurisë në terren.

