Shoferët në Gjermani nuk kanë më nevojë ta mbajnë me vete patentën tradicionale të gjelbër të automjetit.
Nga e enjtja, ajo mund të zëvendësohet plotësisht me versionin dixhital në celular, konfirmuan Ministrat gjermanë të Transportit dhe Dixhitalizimit, Patrick Schnieder dhe Karsten Wildberger, në një konferencë për shtyp në Berlin, së bashku me drejtorin e Zyrës Federale të Automjeteve Motorike (KBA), Richard Daum.
Policia e njeh tashmë patentën elektronike
Sipas autoriteteve, policia gjermane tashmë e njeh versionin dixhital të patentës dhe mund ta verifikojë atë në mënyrë të sigurt përmes sistemit qendror të të dhënave.
“Dixhitalizimi i dokumenteve të automjeteve lehtëson jetën e përditshme të qytetarëve dhe e bën administratën më efikase,” deklaruan ministrat gjermanë.
Për të kaluar në patentën dixhitale, pronarët e automjeteve duhet të shkarkojnë aplikacionin i-Kfz, i cili është i disponueshëm si për iOS, ashtu edhe për Android.
Pas instalimit, përdoruesit mund të plotësojnë numrin e regjistrimit të automjetit ose ta skenojnë kodin QR të patentës ekzistuese për ta regjistruar në aplikacion.
Për verifikimin e identitetit, kërkohet numri i kartës së identitetit elektronik ose një skanim biometrik përmes sistemit të sigurisë së pajisjes.
Ky projekt është pjesë e strategjisë së qeverisë gjermane për dixhitalizimin e administratës publike.
Autoritetet theksojnë se kjo masë do të redukojë byrokracinë, do të shkurtojë kohën e procedurave dhe do të rrisë transparencën dhe sigurinë në regjistrimin e automjeteve.

