Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar sërish vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në episodin e fundit të podkastit të tij “Flasim”, Rama e quajti situatën e krijuar “një ngërç absurd” dhe theksoi se qyteti i Tiranës nuk mund të mbetet pa drejtim.
“Kush ka në dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtojë që kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim. Ky është një skandal që qytetarët po e paguajnë me një kosto të padrejtë,” deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë tha se argumentet se ai “i ka kapur të gjitha pushtetet” bien poshtë në këtë rast. Ai nënvizoi se zvarritja e situatës ndikon jo vetëm tek e drejta individuale e Veliajt, por edhe tek e drejta kushtetuese e qytetarëve të Tiranës për t’u shërbyer nga kryetari i zgjedhur.
“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027, atëherë kemi një disproporcion të dyfishtë. Nuk është më vetëm çështje e lirive të një personi, por edhe e të drejtës së popullit të kryeqytetit për të pasur shërbimet që u takojnë,” u shpreh ai.
Rama shtoi se pret që Gjykata Kushtetuese, duke ruajtur parimin, të marrë vendim që Veliaj të vijojë procesin gjyqësor në gjendje të lirë dhe të kthehet në detyrë.

