Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK nuk ka marrë asnjë ftesë për takim nga kandidati për kryeministër, Glauk Konjufca. Sipas saj, qëndrimi i partisë mbetet i qartë: nuk do të votojnë Qeverinë Kurti/Konjufca.
“Jo, nuk kemi asnjë ftesë. Dhe edhe po të kishim, përgjigja është ‘jo’”, tha Çitaku për Gazeta Blic.
Ajo shtoi se PDK ka qenë konstruktive në përpjekjen për të zhbllokuar situatën politike, por nuk do të mbështesë formimin e qeverisë së re të propozuar nga Vetëvendosje.
Ndërkohë, Konjufca, i mandatuar më 4 nëntor nga Presidentja Vjosa Osmani pas dorëheqjes së Albin Kurtit, ka afat deri më 19 nëntor për të paraqitur përbërjen e qeverisë në Kuvend. VV ka deklaruar se kërkon një qeveri të përkohshme që të miratojë buxhetin para shkuarjes në zgjedhje.

