Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme është procesuar grupi i parë i pagesës së njëhershme prej 100 eurosh për rreth 50 mijë studentë në Kosovë.
Murati bëri të ditur se nga java e ardhshme do të hyjnë në fuqi edhe rritjet e pensioneve, ku pensionet bazë do të kalojnë nga 120 euro në 150 euro, një ndryshim që përfshin rreth 200 mijë pensionistë në mbarë vendin.
Gjithashtu, ministri konfirmoi se shtesat për fëmijë do të ekzekutohen me një rritje prej 50% që nga ky muaj, duke përfshirë rreth 400 mijë fëmijë përfitues.
Në fund të njoftimit të tij, Murati theksoi se këto masa janë pjesë e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar të gjitha kategoritë e shoqërisë, duke e përmbyllur mesazhin me fjalinë:
“Qeveria për të gjithë!”

