Autoritetet turke kanë lëshuar urdhër-arreste për “gjenocid të dyshuar” ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë së tij, ka bërë të ditur zyra e prokurorisë së Stambollit.
Në mesin e 37 personave të listuar janë përfshirë ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, dhe shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerallejtënant Eyal Zamir. Lista e plotë e të dyshuarve nuk është bërë publike.
Sipas deklaratës zyrtare, Turqia i akuzon zyrtarët izraelitë për “gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”, të cilat, sipas saj, janë kryer “në mënyrë sistematike” në Rripin e Gazës. Prokuroria ka përfshirë në dosje edhe bombardimin e “Spitalit të miqësisë turko-palestineze”, të ndërtuar nga Turqia në Gaza dhe goditur nga forcat izraelite në muajin mars.
Ky veprim vjen një vit pasi Turqia iu bashkua padisë së Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke mbështetur akuzat për gjenocid ndaj popullsisë palestineze.
Ndërkohë, një armëpushim i brishtë është në fuqi në territorin palestinez që nga 10 tetori, si pjesë e planit të paqes rajonale të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

