Policia e Kosovës ka arrestuar një person në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë, pas një operacioni hetimor që çoi në zbulimin e armëve, drogës dhe një mjeti shpërthyes.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari — një mashkull kosovar — u kap në flagrancë dhe gjatë kontrollit fillestar policia i gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me 11 fishekë, një telefon mobil dhe 140 euro para të gatshme.
Në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, hetuesit kanë kontrolluar dy banesa dhe disa podrume që ishin në përdorim nga i arrestuari, ku u zbuluan sasi të tjera të konsiderueshme të substancave narkotike dhe armëve.
Gjatë bastisjeve, policia ka sekuestruar:
-
17.08 gramë kokainë,
-
një mjet shpërthyes (bombë),
-
një armë automatike AK-47,
-
një pistoletë shtesë,
-
20 fishekë,
-
një peshore digjitale për matjen e drogës,
-
dhe një DVR të kamerave të sigurisë.
Pas përfundimit të veprimeve fillestare hetimore, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet për posedim dhe shitblerje të substancave narkotike, si dhe armëmbajtje pa leje.

