Një grua nga Grazi, në Austri, mendoi se po bënte një vepër të mirë kur gjatë një shëtitjeje në pyll gjeti një kuti të zezë metalike plot me librezë kursimi dhe ia dorëzoi menjëherë autoriteteve. Por ajo që nisi si një akt ndershmërie, përfundoi si një makth ligjor që i kushtoi mijëra euro.
Ngjarja ndodhi në Shën Radegund, pranë Grazit, në gusht të vitit 2024. Brenda kutisë së gjetur, gruaja numëroi njëmbëdhjetë librezë kursimi me një vlerë totale prej 363,844.79 eurosh. Sipas ligjit austriak, çdo person që gjen një send të humbur ka të drejtë për 5% shpërblim nëse pronari paraqitet për ta marrë, prandaj ajo priste një shpërblim prej mbi 18 mijë eurosh.
Autoritetet e identifikuan shpejt pronarin, i cili fillimisht pranoi t’i paguante shpërblimin ligjor, por më pas ndryshoi mendje dhe refuzoi çdo pagesë. Kur gruaja kërkoi ndihmën e gjykatës, situata mori një kthesë të papritur. U zbulua se librezat ishin vjedhur në vitin 2020, ndërsa pronari kishte tërhequr paratë dhe i kishte shpallur të pavlefshme. Në thelb, dokumentet e gjetura nuk kishin më asnjë vlerë monetare.
Gjykata vendosi në favor të pronarit, duke argumentuar se shpërblimi vlen vetëm për sende që kanë ende vlerë reale. Për pasojë, gruaja jo vetëm që humbi shpërblimin, por tani është e detyruar të paguajë 2,638 euro për shpenzimet ligjore dhe gjyqësore – të sajat dhe të palës tjetër.
Rasti ka shkaktuar indinjatë publike në Austri, pasi nuk është i vetmi i këtij lloji. Janë raportuar disa raste ku gjetësit e ndershëm përfunduan pa asgjë, madje me humbje, pas ndërhyrjes së gjykatave apo zbatimit strikt të ligjit për pasuritë e humbura.
Historia e gruas nga Grazi është kthyer në simbol të paradoksit të ndershmërisë – një kujtesë e hidhur se, ndonjëherë, të bësh gjënë e duhur mund të të kushtojë shumë më tepër sesa të kthehesh mbrapa dhe të mbyllësh sytë.

