Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se zyrtarët e qeverisë së SHBA-së nuk do të marrin pjesë në samitin e G20, që do të mbahet këtë vit në Afrikën e Jugut, duke e cilësuar vendimin si një bojkot politik të plotë ndaj shtetit pritës.
Në një deklaratë të bërë në platformën e tij “Truth Social”, Trump tha se vendimi vjen si reagim ndaj “diskriminimit dhe dhunës ndaj qytetarëve të bardhë” në Afrikën e Jugut. “Afrikanerët po vriten dhe masakrohen, ndërsa tokat dhe fermat e tyre po konfiskohen ilegalisht. Asnjë zyrtar i qeverisë amerikane nuk do të marrë pjesë për sa kohë që këto abuzime të të drejtave të njeriut vazhdojnë”, shkroi ai.
Trump kishte paralajmëruar më herët se nuk do të merrte vetë pjesë në samit, ndërsa fillimisht pritej që zëvendëspresidenti JD Vance ta përfaqësonte SHBA-në në mungesën e tij. Por me këtë vendim të ri, Uashingtoni do të mungojë plotësisht në konferencë.
Pretendimet e Trump për “diskriminim ndaj të bardhëve” janë hedhur poshtë nga autoritetet e Afrikës së Jugut, përfshirë presidentin Cyril Ramaphosa, i cili më herët këtë vit tha me ironi: “Do të doja të dija se ku ndodhin këto gjëra, sepse nuk i kam parë kurrë.”
Vendimi për bojkot është mbështetur edhe nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili kishte deklaruar se nuk do të merrte pjesë në samit për shkak të “politikave të gabuara” të Afrikës së Jugut dhe fokusit të G20-s në “solidaritet, barazi dhe qëndrueshmëri” — që ai i quajti “DEI dhe klimë, me fjalë të tjera”.
Këtë vit, Afrika e Jugut është vendi pritës i samitit të G20, ndërsa takimi i ardhshëm do të mbahet në Miami, në një nga pronat e Trump, ku SHBA do të ketë rolin e mikpritësit.
Bojkoti shënon një largim të paprecedentë të SHBA-së nga një forum global ekonomik dhe nënvizon qëndrimin gjithnjë e më të ashpër të administratës Trump ndaj politikave të vendeve afrikane që, sipas tij, “nuk respektojnë të drejtat themelore të njeriut dhe pronës.”

