Kryeministri Edi Rama ka prezantuar detaje nga projektbuxheti i vitit 2026, ku sektori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale zë një pjesë të konsiderueshme me 1 miliard euro, që përfaqëson rreth 4% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar.
Në fokusin kryesor të buxhetit, Rama vuri luftën kundër kancerit, duke njoftuar një linjë të dedikuar financimi prej 15 milionë eurosh për barnat e pacientëve të Onkologjikut, ndërsa për herë të parë, rikonstruksioni i gjirit për gratë dhe vajzat që kanë mposhtur kancerin do të ofrohet falas.
“Për herë të parë hapim një fond të veçantë për nevojat jetike të pacientëve të Onkologjikut. Po ashtu, shërbimi i rikonstruksionit të gjirit do të jepet falas për çdo paciente që ka kaluar këtë betejë të vështirë,” deklaroi Rama.
Ai njoftoi gjithashtu ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve, projekt që do të udhëhiqet nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e cila është renditur mes “100 grave më me ndikim në mjekësinë botërore”. Sipas Ramës, ky institut do të bëhet pjesë e rrjetit ndërkombëtar të qendrave që luftojnë kancerin, me objektiv realizimin e plotë deri në Shqipëria 2030.
Në vijim të reformave në shëndetësi, Rama theksoi se 4600 mjekë, infermierë dhe farmacistë, si dhe 14.200 teknikë e laborantë, do të përfitojnë nga një rritje e re pagash, si pjesë e përpjekjeve për ta bërë profesionin mjekësor më dinjitoz dhe të qëndrueshëm në vend.
Kryeministri renditi një sërë investimesh që pritet të realizohen gjatë mandatit: spitali i ri i Korçës, urgjenca e Durrësit, spitalet e Matit, Tropojës dhe spitalet bashkiake, duke nënvizuar se deri në vitin 2030, asnjë strukturë shëndetësore në Shqipëri “nuk do të jetë jashtë standardeve të Bashkimit Europian.”
Një tjetër risi është integrimi i inteligjencës artificiale në sistemin shëndetësor, përmes një kompanie të përbashkët mes shtetit shqiptar dhe një prej ekselencave europiane në këtë fushë. Rama tha se kjo do të mundësojë diagnostikim më të saktë, analiza parashikuese dhe ndërveprim të plotë të sistemit digjital kombëtar të shëndetësisë, në përputhje me agjendën digjitale të BE-së.
Në të njëjtën linjë të bashkëpunimit ndërkombëtar, ai konfirmoi se në vitin 2026 do të nisë partneriteti mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe spitalit prestigjioz “San Raffaele” të Milanos, duke hapur rrugën për modernizim të thellë dhe shkëmbim ekspertize në trajtimin e pacientëve.
“Shëndetësia shqiptare po hyn në një fazë të re — me standarde europiane, teknologji moderne dhe kujdes më të madh për pacientin,” përfundoi Rama.

