Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që po zhvillohen sot në 18 komuna të vendit. Ai votoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe u ndal për një deklaratë para mediave.
“Besoj se sot të gjithë jeni zgjuar herët në mëngjes. Ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e mirë. Republika e Kosovës mban zgjedhjet në raundin e dytë për balotazh në 18 komuna. Unë kam votuar këtu në Prishtinë, në ndërtesën e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës dhe vendimmarrës për kryetarët e komunave dhe për të ardhmen e tyre,” tha Kurti.
Shefi i qeverisë vlerësoi ditën e zgjedhjeve si një moment të rëndësishëm demokratik për vendin dhe nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes lokale.
Procesi i votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale po zhvillohet gjatë gjithë ditës së sotme në mbarë komunat ku asnjë kandidat nuk arriti shumicën absolute në raundin e parë.

