Pas mbylljes së rundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe festimeve të partive në komunat ku siguruan fitore, skena politike në vend po rikthehet shpejt drejt një procesi të ri zgjedhor. Meqë ende nuk është arritur sigurimi i një shumice të re për formimin e qeverisë, 21 dhjetori po përmendet si datë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Në zgjedhjet e së dielës, LDK-ja arriti fitore në pesë komuna, LVV-ja dhe AAK-ja në nga katër, ndërsa PDK-ja në tre. Megjithatë, atmosfera festive pritet të zgjasë pak, pasi partitë do të duhet të rikthehen shpejt në terren për të kërkuar votën e qytetarëve në nivel qendror.
Glauk Konjufca nga LVV, i mandatuar nga presidentja Vjosa Osmani për krijimin e një qeverie të re, ka thënë se synohet një qeveri afatshkurtër për të miratuar buxhetin dhe për të shmangur dy procese zgjedhore të njëpasnjëshme. Por partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin këtë propozim.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk sheh hapësirë për ndonjë koalicion të ri dhe se përpjekjet për sigurimin e shumicës kanë qenë tashmë të shteruara.
Nëse Konjufca nuk arrin të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend, ky i fundit pritet të shpërndahet. Në këtë rast, 21 dhjetori mbetet një nga datat më të përfolura si opsion i mundshëm për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, në përputhje me afatet ligjore dhe dinamiken aktuale politike./Qendra.INFO

