Kryesuesi i Qendrës Komunale të Numërimit në Mitrovicë, Jahir Sumiçiq, ka konfirmuar se Qendra e Numërimit po mbyllet për t’i hapur rrugë hetimeve pas dyshimeve serioze për manipulim me fletëvotime.
Sumiçiq tha se Prokurori i Shtetit, Policia dhe hetuesit ndodhen tashmë brenda qendrës, ku procesi është ndërprerë.
“Procesi është ndalë. Po mbyllen kutitë që kanë qenë të hapura. Qendra e Votimit do të mbyllet dhe do të nisin hetimet”, deklaroi ai në emisionin InfoNata në Tëvë1.
Sipas tij, nga 35 kuti të votimit, në rreth 10 prej tyre janë hasur mospërputhje të numrave serik, që sugjerojnë lëvizje të fletëvotimeve mes vendvotimeve të ndryshme.
Ai shtoi se janë identifikuar edhe fletëvotime të vulosura dy herë, si dhe raste ku fletëvotimet e një shkolle janë gjetur në një qendër tjetër votimi.
“Kemi hasur në fletëvotime që nuk përputheshin me numrin e vendvotimit dhe të klasës. Ka pasur lëvizje nga ‘Migjeni’ në ‘Abdullah Shabanin’ dhe anasjelltas”, u shpreh Sumiçiq.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për gabim teknik, siç pretendon KQZ-ja, apo për manipulim të organizuar të votave, siç po insistojnë subjektet opozitare./Qendra.INFO

