Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka akuzuar publikisht Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar se po përpiqen të nxisin Shtetet e Bashkuara të braktisin përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës me Rusinë dhe të zgjedhin rrugën e konfrontimit të hapur.
“Për aq sa dimë, Brukseli dhe Londra po përpiqen ta bindin Uashingtonin që të heqë dorë nga rruga politike dhe të bëhet pjesë e ‘partisë së luftës’,”
deklaroi Lavrov në një intervistë për agjencinë RIA Novosti.
Diplomati rus shtoi se Moska është e shqetësuar për “politikën agresive” të disa qendrave perëndimore që, sipas tij, po e shohin luftën si zgjidhjen e vetme për çështjen e Ukrainës.
Lavrov paralajmëroi gjithashtu se Rusia do të reagojë ashpër nëse vendet perëndimore vendosin të përdorin asetet e ngrira ruse për të financuar ndihmën ndaj Ukrainës.
Ai theksoi se një veprim i tillë do të përbënte “vjedhje shtetërore” dhe do të cenonte themelet e sistemit financiar ndërkombëtar.
“Nëse ata vendosin të prekin asetet tona, përgjigjja e Rusisë do të jetë e menjëhershme dhe proporcionale,” tha ai.
Shefi i diplomacisë ruse u shpreh se Moska është ende në pritje të konfirmimit nga Shtetet e Bashkuara për vlefshmërinë e marrëveshjeve të arritura në samitin e Alaskës, të cilat, sipas tij, përbëjnë “një kompromis të rëndësishëm për çështjen e Ukrainës”.
Lavrov theksoi se pavarësisht tensioneve aktuale, Rusia nuk e ka përjashtuar dialogun diplomatik, por se “topi tani është në fushën e Perëndimit”.

